Leja prindërore dhe Barazia Gjinore në Kosovë
Më 12 prill, Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizoi panelin e diskutimit “Leja prindërore dhe barazia gjinore në Kosovë”. Pjesë e panelit ishin: Dita Dobranja, Hulumtuese e Avancuar, Instituti Riinvest dhe Gresa Rrahmani Aktiviste feministe. Përderisa, moderatore ishte Lavdi Zymberi, Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Gjatë këtij paneli u diskutua për lidhëshmërisë mes barazisë gjinore dhe lejes prindërore. Panelistet diskutuan se si ndikon leja prindërore në krijimin e një ambienti të përshtatshëm dhe të barabartë për të dy prindërit, duke ndikuar kështu edhe në barazinë gjinore. Për shkak të pushimit relativisht të gjatë të lehonisë, gratë shumë shpesh janë diskriminuar në tregun e punës. Ndryshimet në provizionet e pushimit të lehonisë nëpër vende të ndryshme të botës tregojnë se kur ato mundësojnë që nëna të qëndrojë më gjatë jashtë vendit të punës, si pushim i garantuar me ligj, ka ndikim negativ në punësimin e grave në përgjithësi. Një rritje prej 10% në kohëzgjatjen e pushimit të lehonisë ka ndikuar në rritje të probabilitetit që gratë në moshë të lindjes të jenë të diskriminuara në proces të punësimit, pa pasur parasysh nëse ky pushim ishte i paguar ose jo.
Për më shumë, ofrimi i lejeve prindërore afatmesme me pagesë për gratë i rritë gjasat e tyre për punësim. Kështu, për të rritur barazinë gjinore pas-amësisë dhe për t’i eliminuar efektet e “dënimit të amësisë” është e nevojshme që të inkurajohen baballarët që të marrin leje prindërore. Hulumtimet gjithashtu tregojnë që burrat janë të interesuar të shfrytëzojnë lejen prindërore dhe do të preferonin që ajo të zgjatë nga katër ditë deri në një muaj. Mirëpo, gatishmëria e baballarëve për shfrytëzim të lejes prindërore lidhet ngushtë me ofrimin e pagesës.
Gjatë panelit u diskutuan edhe tema tjera si tregu i zi, punësimi i grave pa kontratë pune apo me kontratë afatshkurtër si dhe për sfidat që vet organizatat jo-qeveritare shpesh hasin për pagesën e lejes prindërore. Pas diskutimeve të panelistëve, fjalen morën pjesëmarrësit/et që dhanë komentet e tyre.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit "Leja prindërore për barazi gjinore" që implementohet nga Demokraci për Zhvillim, financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.